Bota priti me ankth nxjerrjen gjallë nga pusi të një vogëlushi 5-vjeçar në Marok.

Lufta me kohën e ekipeve të shpëtimit pati një fund tragjik. Lajmi se Ryan-i i vogël u nxor nga pusi mbi 30 metra i thellë i pajetë pas shumë orësh në agoni solli trishtim kudo.

Me mijëra mesazhe ngushëllimi u postuan në rrjet pas lajmit të trishtë pas më shumë se pesë ditësh lutjesh që vogëlushi të nxirrej gjallë. Por, për fat të keq, Ryan nuk mundi që të shihte sërish dritën dhe të bashkohej me prindërit e tij.

Mediat ndërkombëtare raportuan se fëmija u nxor fillimisht gjallë, por më pas u raportua se kishte ndërruar jetë. Që pas ditës kur vogëlushi ra në pusin e thellë, ekipet e shpëtimit injektonin herë pas herë oksigjen në thellësi dhe dërgonin shishe me ujë, por fundi ishte trishtë për Ryan që nuk mundi të mbijetonte.