300 milionë kinezë nisin epokën e re të sporteve dimërore

Presidenti i Komitetit Olimpike Ndërkombëtar Thomas Bach tha ditët e fundit se Lojërat Olimpike Dimërore 2022 që po zhvillohen në Pekin, kanë nisur një epokë të re të sporteve dimërore, në të cilat janë shtuar 300 milionë pjesëmarrës.

Sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës, qysh nga viti 2015, kur Kina fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, 346 milionë kinezë kanë marrë pjesë në sportet dimërore.

Kështu, Kina e mbajti premtimin e bërë prej saj kur paraqiti kërkesën për organizimin e kësaj veprimtarie.

Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë e Kinës, deri në fund të janarit të këtij viti, shitjet e pajisjeve për ski patën një rritje prej 51.9 për qind në krahasim me janarin e vjetshëm, ndërsa shitja e suvenireve të Olimpiadës Dimërore të Pekinit u shtua afro 27 herë.

Ndërkohë, shitja e biletave për parqet me temë dimërore dhe pistat e skive në Kinë pati rritje përkatësisht prej 131.5 dhe 95.2 për qind.

Kina synon zgjerimin e vëllimit të industrisë së sporteve dimërore në një trilion juanë deri në vitin 2025.