Agron Hoti, piktori shqiptar që jeton prej shumë vitesh në Itali ka tërhequr vëmendjen e yllit të futbollit, Cristiano Ronaldo. Dy vite më parë kur Ronaldo ishte në Verona me ekipin e Juventusit, ai bleu një realizim të piktorit shqiptar që kishte bërë për të. Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Hoti tregoi se piktura përfshin momentet më të mira të karrierës së yllit portugez.

“Kam bërë një tablo përmes së cilës kam shprehur historinë e Ronaldos në një telajo. Kam treguar historinë e 5 champions që ka fituar. Ishte një surprizë interesante dhe e mirëpriti shumë mirë. E mori me vete direkt”, tha piktori. Ndërkohë, i pyetur se sa ka kushtuar piktura, Agroni refuzoi të tregonte një shifër duke thënë: “Unë kam çmimet e mia dhe për momentin nuk jam akoma Picasso. Avash do të arrijmë aty. Por çmimet janë normale.”

“5 championa që ka fituar janë të treguara aty, një pjesë janë të pesë kupat rresht. Është historia e Cristianos me gjërat më pikante. Por jam munduar ta përmbledh me pak gjëra por të jetë diçka pikante. Është kontaktuar stafi po kam kontaktuar klubin e Veronës.”, tha ai. Agroni u shpreh më tej se aktualisht po realizon një tjetër pikturë për futbollistin e njohur, Zlatan Ibrahimovic.