Prokuroria Publike e Milanos i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë në Itali kërkesën për ekstradim dhe urdhër-arrestin ndërkombëtar për ish-sulmuesin e Milanit, Robinho, i cili u dënua përfundimisht, së bashku me një shok, më 19 janar, me 9 vite burg për dhunë seksuale në grup ndaj një 23-vjeçareje shqiptare.

Kjo e fundit u përdhunua në një klub nate në kryeqytetin Lombard, natën e 22 janarit 2013. Prokurorja Adriana Blasco ka firmosur aktet ndaj ish-futbollistit dhe shokut të tij, të cilët aktualisht ndodhen të dy në Brazil. Duket e qartë se të dy nuk do të dorëzohen, sepse Kushtetuta braziliane nuk lejon ekstradimin e qytetarëve të saj.

Vendimi i prerë i Gjykatës së Lartë Italiane konfirmoi dënimin me nëntë vite burg të Robinhos dhe mikut të tij Ricardo Falco. U refuzua kësisoji apelimi i paraqitur nga avokatët e brazilianit, të cilët synonin mbrojtjen në konsensualitetin e marrëdhënies seksuale.

Përcaktuese ishin disa telefonata, në të cilat ish-lojtari i Milanit tregonte mbrëmjen e përdhunimit: “Po qesh se nuk më intereson, vajza ishte e dehur, as ajo nuk e di se çfarë ka ndodhur”. Avokati i vajzës shqiptare të përdhunuar, Jacopo Gnocchi, e komentoi dënimin si më poshtë, duke bërë një apel për drejtësinë braziliane:

“Më shumë se 15 gjyqtarë e shqyrtuan çështjen në shkallën e parë, të dytë dhe të tretë, konfirmuan përdhunimin e klientes sime. Tani duhet të shohim se si do të jetë përmbushja e këtij vendimi. Brazili është një vend i mrekullueshëm dhe shpresoj se do të dijë si ta përballojë këtë situatë”.

Regjistrimet konfirmuan përfundimisht fajin e lojtarit dhe shokut të tij, të cilët gjithashtu kishin rënë dakord për përgjigjet që do t’iu jepenin hetuesve, duke thënë se ishin të qetë pasi nuk kishte kamera në dhomë. Dënimi i shkallës së parë erdhi në vitin 2017, dënim i konfirmuar edhe në Apelin e Milanos.

Lojtari më pas humbi kontratën me ekipin e Santos. Tani, problemi i ekstradimit të Robinhos në Itali mbetet. Robinho dhe Falco rrezikojnë të arrestohen vetëm nëse udhëtojnë jashtë vendit, jo domosdoshmërisht në Itali. Për këtë, shteti italian ka lëshuar sot urdhër arresti ndërkombëtar, që mund të ekzekutohet, për shembull, në çdo vend të Bashkimit Evropian.