Kryeministri Edi Rama ka folur në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Rama tha se anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një arritje historike për shqiptarët, që pakkush do ta kishte menduar 30 vite më parë.

Kryeministri e krahasoi Shqipërinë e 30 viteve më parë, me Korenë e Veriut.

“Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspirata tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë.

Më lini ta nis duke dalë jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe të të tjerëve: Sikur për asgjë tjetër, por vetëm për një tubim si ky, ku kaq shumë miq e të ftuar të shquar janë të pranishëm për të ndarë këtë moment me ne, ma ha mendja se Mandati i Këshillit të Sigurimit ia vlen.

Vetëm një imagjinatë pa fre do të kishte guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do të kishte qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më parë.

Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës.

Diktatura u shkërmoq falë thirrjes së njerëzve drejt asaj çka për natyrën njerëzore është një nevojë e brendshme: lirisë, barazisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Shumë herë, rrota e historisë lëviz në drejtime të çuditshme. Për ne shqiptarët, zgjimi erdhi mjaft vonë, por ne i mbajtëm sytë kah na thërriste drita dhe qysh atëherë kemi ecur në një drejtim të vetëm, atë të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave e dinjitetit të njeriut, zhvillimit dhe reformave.

Që prej kësaj kohe, kërkimi i vendit të merituar në rajon dhe Europë ka mbetur busulla jonë, edhe në momentet më të mundimshme në rrugën tonë të vështirë drejt një shoqërie të lirë e demokratike, drejt familjes me të cilën duam të bashkohemi, familjes europiane së cilës i përkasim”, tha Rama