Nafta në Shqipëri më e shtrenjta në Europë. Një shqiptar duhet të shpenzojë mesatarisht gati 20% të të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë, me çmimet e sotme, më shumë sesa çdo qytetar tjetër në Europë dhe e 17-a në botë.

Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rekord së fundmi, duke arritur në nivele të papara ndonjëherë prej 250-260 lekë për litër, ose rreth 2.3-2.4 dollarë. Me të ardhurat për frymë që janë rreth 4400 dollarë në vit, sipas Bankës Botërore, ndër më të ulëtat në Europë, shtrenjtimi i karburanteve do peshojë më shumë jo vetëm në xhepat e atyre që kanë makina por edhe indirekt përmes shtrenjtimit të transportit dhe produkteve të tjera zinxhir.

Pas Shqipërisë renditet Kosova, shteti më i varfër i Europës, me 18% të të ardhurave ditore, për shkak se çmimet e naftës janë pak më të lira se tek ne (aktualisht rreth 2 dollarë për litër), citon Monitor.

Edhe në vlerë absolute, Shqipëria, me nivelet aktuale, renditet ndër 10 vendet më të shtrenjta në botë, se bashku me Finlandën, Belgjikën, Danimarkën, Hong Kongun, Norvegjinë, Suedinë, që ka karburantin më të shtrenjtë në botë, me 2.6 dollarë për litër. Por, të ardhurat për frymë të suedezëve janë 51.4 mijë dollarë në vit, ose rreth 12 herë më shumë se të Shqipërisë. Si rrjedhojë një suedezi i duhet vetëm 1.9% e të ardhurave mesatare ditore për të blerë një litër karburant. Edhe një gjermani i mjaftojnë po rreth 2% e të ardhurave ditore.

Pas Shqipërisë dhe Kosovës, nafta më e shtrenjtë në Europë, sipas fuqisë blerëse është në Ukrainë, me rreth 18% të ardhurave ditore. Ndonëse çmimi i naftës në shtetin që tashmë po vuan pasojat e pushtimit të Rusisë është 1.1 dollarë për litër, të ardhurat e tyre janë sa gjysma e atyre në Shqipëri.

Në rajon, serbëve u duhen 9.2% të të ardhurave ditore (kanë të ardhura më të larta dhe çmime nafte më të ulëta), malazezëve 8.8%, boshnjakëve 11%.

Një rumuni i duhen 5.5% e të ardhurave ditore, një italiani vetëm 2.5%, një greku 3.9%.

Shtetet që kanë karburant më të shtrenjtë në botë, në raport me të ardhurat përgjithësisht janë në Afrikë.

Në Mozambik, ndonëse nafta kushton më pak se një dollar, të ardhurat shumë të ulëta për frymë bëjnë që të duhen 60% e të hyrave ditore për të blerë një litër naftë. Shqipëria “konkurron” me shtete të tilla si Zimbabve, Afganistan, Ruanda, Etiopi, apo dhe Pakistan në Azi, që janë ndër vendet më të varfra të botës, duke u renditur e 17 në botë.

Nafta më e lirë në botë është në shtete kryesore prodhuese si Katar (0.4% e të ardhurave ditore), Arabia Saudite, Libia, Irani (0.1%).

Çmimi i naftës u rrit me shpejtësi në vend ditët e fundit. Brenda një javë, që nga e enjtja e javës së kaluar, çmimi i naftës është shtrenjtuar me 4 herë.

Vetëm të mërkurën e një jave më parë nafta tregtohej me 192 lekë, pra është rritur me 57 lekë, ose 50%, për të arritur në 250-260 e madje 300 lekë për litër.