Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se u është marrë autorizimi katër operatorëve që merren me përpunimin e produkteve të naftës, për shkak të parregullsive të shumta dhe cilësisë së produkteve.

Hajdari tha se me shitjen e këtyre produkteve u është shkaktuar dëm edhe buxhetit të shtetit.

Ajo tregoi edhe disa nga parregullsitë që i kanë hasur tek këta operatorë.

“Rrjedhimisht Dogana ka pezulluar autorizimet dhe nuk u janë vazhduar autorizimet katër subjekteve. Disa nga subjektet u kanë shitur produktet e naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara si dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit”,- deklaroi Hajdari.

Ministrja konfirmoi se për shkak të këtyre parregullsive katër kompanive u është revokuar leja për importin e lëndës së parë.

Njërit subjekt ia kemi pezulluar edhe lejen për importin e vajërve të rënda dhe ndaj të njëjtit subjekt po zhvillojmë tani procedurat për mashtrim në cilësinë e karburanteve që ua ka shitur institucioneve publike”, – tha ajo.