Vlorë- Konflikt me investitorin e pallatit, tre gra kërcënojnë se do të vetëvriten.

Ankth në Vlorë në këto minuta pasi tre gra janë futur në një dyqan dhe janë mbyllur brenda tij duke kërcënuar se do të vrasin veten në grup.

Burime për noa.al informojnë se ngjarja ka nisur rreth orës 11:05, në lagjen “10 Korriku” në Vlorë.

Tre gra janë futur në një dyqan në katin e parë të një pallati dhe për shkak të një konflikti pronësie me investitorin e pallatit, kërcënojnë se do të kryejnë vetëvrasje. Në foto shihni pamje në vendngjarje.

Ato thonë se ndërtuesit e pallatit nuk i janë përmbajtur aktmarrëveshjes që kanë bërë dhe nuk u kanë dhënë ç’ka ata kanë pretenduar në këtë ndërtesë.

Gratë thonë se kjo situatë vijon prej vitesh dhe kurrë nuk kanë arritur të marrin banesat që pretendojnë se u takojnë.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat po negociojnë për zgjidhjen e situatës.

Mësohet se janë dy gra rreth 50 vjeçe dhe një e moshuar rreth 80 vjeçe.

Ndërkohë pranë xhamit, shihet edhe një bombol gazi, ndërsa shefi i komisariatit është duke tentuar që të bindë gratë të dalin.