Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë përfundon hetimet për publikimin në rrjetet sociale në datë 22 dhjetor 2021, nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”, të listës së pagave të muajit janar të vitit 2021 të punonjësve në institucionet shtetërore dhe private.

Këto të dhëna u shpërndarë fillimisht nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” dhe më pas janë publikuar në media. Të dhënat janë lehtësisht të aksesueshme nga çdo shtetas.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria ka dërguar çështjen për gjykim në ngarkim të të pandehurve:

  1. Eni Qirjako, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i K. Penal.
  2. Andi Agaraj, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i K. Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K. Penal.
  3. Klodian Sota, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv në sektorin privat” parashikuar nga nenet 164/b e 244 i K. Penal.
  4. Endri Ikonomi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në sektorin privat” parashikuar nga neni 164/a i K.penal.


Qirjako është hetuar në gjendje të lirë, ndërsa tre të tjetër kanë qenë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pasi dyshohet se nxorën të dhënat, duke ia shitur subjekteve private.

Sipas prokurorisë, Eni Qirjako dhe Andi Agaraj i shitën të dhënat e qytetarëve tek dy personat e tjerë, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi. Mësohet se Sota është përmbarues privat, ndërsa Ikonomi punon në një institucion financiar.

Fillimisht, specialistja e AKSHI-t, Eni Qirjako, ka pasur qasje në këto të dhëna dhe më pas ia dërgonte mikut të saj, Andi Agaraj, përmes kanalit WeTransfer. Imeraj tha se në hetim është dhe dosja e patronazhistëve.

Qirjako dhe Agaraj akuzohen për “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, ndërsa Agaraj në 6 raste ka shitur të dhënat në shuma që varionin nga 20 deri në 30 mijë lekë secila. E fundit është tabela me listëpagesat e muajit shtator të viti 2021.