Ish-presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rrisin fonde për sigurinë nëpër shkolla, para se të ndihmojnë Ukrainën. Deklarata e Trump vjen pak ditë pas sulmit tragjik në një shkollë në Uvalde, Teksas, ku 19 nxënës dhe 2 mësuese humbën jetën.

“Nëse SHBA ka mundësi të dërgojë miliarda dollarë ndihmë në Ukrainë, duhet të jemi në gjendje të bëjmë gjithçka duhet për të ruajtur fëmijët tanë këtu në shtëpi”, tha Trump në një takim të NRA, Shoqatës Amerikane të Armëve, në Hjuston.

“Shpenzuam trilionë dollarë në Irak dhe Afganistan dhe nuk morëm asgjë mbrapsht”, shtoi Trump teksa mirëpriste duartrokitjet e publikut. “Para se të kontribuojmë për shtetformim të pjesës tjetër të botës, duhet të ndërtojmë shkolla të sigurta për fëmijët tanë, këtu në vendin tonë”.

Pak ditë më parë, Kongresi amerikan miratoi një paketë ndihme prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën, që do të jepet në formën e armatimeve dhe asistencës humanitare. Që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, SHBA ka dërguar 54 miliardë dollarë.

Trump hodhi poshtë thirrjet për të shtrënguar rregullat e kontrollit të armëve, duke thënë se amerikanët e ndershëm duhet të lejohen të mbajnë armë, për t’u mbrojtur “nga e keqja”.