“Unë nuk fajësoj jurinë. Në fakt, unë i kuptoj ata”. Kështu e nis Amber Heard intervistën e saj të parë pas vendimit, kundër saj, në padinë për shpifje kundër ish-bashkëshortit të saj Johnny Depp.

Në një intervistë për NBC-në ajo thotë fjalën e saj për një dënim, i cili kërkon që ajo t’i paguajë paditësit 15 milionë dollarë dëmshpërblim: një shumë e tepruar për të.

“Ai është një personazh i dashur, njerëzit mendojnë se e njohin personalisht. Ai është gjithashtu një aktor fantastik”, tha aktorja për Savannah Guthrie të NBC-së.

Amber më pas fajësoi mediat sociale dhe mbulimin negativ që iu dha gjatë gjyqit.

“Nuk më intereson se çfarë mendon dikush për mua apo çfarë gjykimi doni të bëni për atë që ndodhi në privatësinë e shtëpisë sime, në martesën time, pas dyerve të mbyllura. Nuk mendoj se njeriu i medias duhet t’i dijë këto gjëra. Kështu që nuk e marr personalisht”, tha ylli i “Aquaman”.

“Por edhe nëse je dikush që mendon se e meritoj gjithë këtë urrejtje, edhe nëse mendon se po gënjej, nuk mund të më shikosh në sy dhe të më thuash që mendon se në rrjetet sociale jam trajtuar me drejtësi. Që është dhënë një portret i saktë për mua”, shtoi ajo duke iu referuar entuziazmit të fansave të Johnny në Tëitter dhe TikTok ku hashtag-u “Drejtësi për Amber Heard” është parë 80 milionë herë, ndërsa ekuivalenti për Johnny Depp ka kaluar 20 miliardë.

Aktorja u intervistua përpara një specialeje njëorëshe që do të transmetohet të premten në prime time. Ditët e fundit, avokatja e saj, Elaine Bredehoft, kishte parashikuar që Amber synon të apelojë për të shmangur pagesën e 10.35 milionë dollarëve që mbeten pasi gjyqtarja Penney Azcarate uli pjesën nga pesë milionë në 350 mijë dollarë të vendimit në lidhje me dëmet ndëshkuese.

Amber, e cila nga ana e saj mori dy milionë dollarë si dëmshpërblim për shpifjen nga një avokat i Depp, vazhdon të jetojë në Virxhinia, pranë Fairfax, ku u zhvillua gjyqi.

Sipas Tmz, ajo mori një avion privat për të regjistruar intervistën në Nju Jork, një zgjedhje që e vendosi sërish në pikën e kritikave të mediave sociale. Ndërkohë, shenjat erdhën nga kampi i Depp javën e kaluar se paditësi mund të hiqte dorë nga kërkesa e pjesës së tij të dëmshpërblimit nëse ish-gruaja e tij tërhiqej nga kërcënimi i apelit.