Në ditën e 116 të luftës në Ukrainë, vijojnë përleshjet e ashpra mes trupave vendase dhe atyre ruse, të spostuara prej javësh në lindje të vendit.

Mbrëmjen e së shtunës, tre raketa të forcave ruse shkatërruan një tjetër depozitë të madhe karburantesh në Novomoskovsk, duke plagosur 3 persona dhe shkaktuar një dëm shumë të madh.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut e konsideron situatën si tepër të vështirë. Sipas tij, trupat ruse po bombardojnë 24 orë pa ndaluar, duke e bërë të pamundur evakuimin e civilëve, apo furnizimin e tyre me ushqime dhe ujë.

Megjithatë guvernatori Sergiy Gaiday i mohon lajmet që ushtria pushtuese ka marrë kontrollin e Severodonetsk. Zyrtari i lartë raporton se rezistenca ukrainase është në ballë të luftës dhe se shumë shpejt do të nisë një kundër ofensivë.

Edhe presidenti Zelensky përforcoi deklaratat e liderëve lokalë, se Ukraina nuk do të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit të saj në lindje të vendit. Gjatë vizitës në Mykolaiv dhe Odesa, që konsiderohen si fronti i luftimeve, Zelensky iu bëri thirrje ushtarëve që të mos heqin dorë nga besimi që Ukraina do ta fitojë këtë luftë.

Megjithatë, e çuditshme ishte një deklaratë e mëhershme nga Kievi zyrtar, që bisedimet me Rusinë për paqe do të mund të rifillojnë vetëm pas gushtit, pas përfundimit të kundërofensivës së vendasve.

Ndonëse, luftimet vijojnë pa ndërprerë, Ukraina dhe Rusia kanë vijuar shkëmbimin e të burgosurve të luftës. Sipas Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, 5 civilë ukrainas janë lënë të lirë në këmbim të 5 rusëve.

Nga ana tjetër, aleatët Perëndimorë të Ukrainës, paralajmërojnë se lufta mund të zgjasë me vite. Deklarata vijnë nga kryeministri britanik Boris Johnson dhe sekretari i NATO, Stoltenberg, të cilët përsëritën angazhimin e tyre për të dërguar më shumë armatim në drejtim të Kievi, për të krijuar mundësi që ushtarët vendas të mbrohen nga agresioni rus.

Ndërkohë edhe SHBA po shikon mundësinë për të dërguar drejt Ukrainës dhe 5 sisteme të raketa-hedhësve Himars.