Policia e shtetit ka nisur punën përgatitore lidhur me protestën e Partisë Demokratike. Burime pranë uniformave blu thanë se pritet të angazhohen përafërsisht 1000 efektivë të komisariateve të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, por edhe agjentë civilë të cilët do të jenë në terren për të konstatuar paligjshmëri.

Ashtu si dhe herët e tjera, Policia ka parashikuar kordonin e efektivëve në dyert e Kryeministrisë, ndërsa pikat e larta të objekteve të rëndësisë së veçantë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, do të ruhen nga forcat speciale.

Ndonëse nuk ka informacione për krijimin e situatave të tensionuara policia prej disa ditësh ka mbajtur në vëzhgim disa persona me precedentë penalë. Nga ana tjetër, një pjesë e segmenteve pritet të bllokohen pjesërisht nga policia rrugore. Për protestuesit që vijnë nga sheshi Skënderbej, Policia do të sigurojë rrugëkalimin për, ta duke bllokuar pjesërisht Bulevardin Dëshmorët e Kombit deri te Kreyministria. Për ata që vijnë nga Rruga e Elbasanit do të ketë kufizime gjithashtu, ndërsa do të sigurohet lëvizja e lirë e protestuesve nga selia e partisë demokratike deri në dyert e Kryeministrisë.

Kufizime të pjesshme do të ketë dhe në rrugët që të çojnë për në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve kjo edhe për shkak të mobilizimit të policisë. Prej disa ditësh strukturat e Partisë Demokratike kanë bërë thirrje që protestuesit të marrin dhe fëmijët e tyre në atë që quhet Shqipëria në rrezik.