Efektivët e forcave speciale britanike në Afganistan kanë vrarë në mënyrë të vazhdueshme të burgosur dhe njerëz të paarmatosur në rrethana të dyshimta. Lajmi publikohet nga BBC, që ka kryer një hetim të thelluar mbi këtë skandal brenda ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas dokumenteve sekrete ushtarake të siguruara nga BBC, një njësi e forcave SAS (Special Air Service) mund të ketë vrarë në mënyrë të paligjshme 54 persona gjatë një turi gjashtëmujor të zhvilluar në Afganistan. BBC gjeti prova që tregojnë se ish-kreu i forcave speciale, Gjenerali Sir Mark Carleton-Smith, nuk dorëzoi provat gjatë një hetimi të hapur për vrasje.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha përmes një deklarate se trupat kanë shërbyer me kurajë dhe profesionalizëm në Afganistan, ndërsa Gjenerali Carleton-Smith, i cili u bë më vonë edhe kreu i ushtrisë, para se të jepte dorëheqjen muajin e kaluar, nuk pranoi të komentonte.

BBC ka analizuar qindra faqe të raporteve të operacioneve të forcave speciale, të kryera nga një skuadrilje e SAS në Helmand në periudhën 2010/2011. Individë që kanë shërbyer në atë skuadrilje kanë thënë për BBC se kanë qenë dëshmitarë të vrasjes së njerëzve të paarmatosur gjatë bastisjeve të kryera natën. Gjithashtu ata kanë thënë se efektivët kanë manipuluar skenat e krimit duke vendosur aty armë kallashnikov, për të justifikuar vrasjen e njerëzve të paarmatosur.

Madje, sipas dëshmive të mbledhura nga BBC, skuadriljet konkurronin me njëra-tjetrën se cila do të arrinte të realizonte më shumë vrasje. Sipas komunikimeve të brendshme, të lexuara nga BBC, mes zyrtarëve të lartë të forcave speciale kishte shqetësime për këto vrasje të paligjshme, por askush nuk raportoi te Policia Ushtarake, pavarësisht detyrimit për ta bërë një gjë të tillë.