Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona në kuadër të një operacioni ku janë sekuestruar disa armë dhe municione luftarake, të cilat mbaheshin në shtëpitë e dy të arrestuarve.

“Specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘Ruger”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Kristjan Gjini, 25 vjeç, dhe Franceska Kolgjegja, 22 vjeçe, aktualisht banues me qira, në Tiranë”.

Shërbimet e Policisë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë ndaluar automjetin me drejtues Kristjan Gjinin, të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë.

“Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në 2 banesa të ndryshme, të marra me qira nga ky shtetas (në njërën prej të cilave jetonte shtetasja F. K.), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri pistoleta, 2 armë zjarri automatike, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio si ato të Policisë, një thikë, sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjetet që përdornin shtetasit e arrestuar”, tha Policia e Tiranës. 

Autoritetet njoftuan gjithashtu se po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.