Gjashtë persona mbetën të vdekur nga një aksident masiv në Montana, SHBA, ku u përfshinë 21 makina. Sipas autoriteteve lokale, shkaku i aksidentit ishte një stuhi pluhuri në një rrugë kryesore, ku era arriti deri në 100 km/h shpejtësi.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Auston Knudsen, tha se patrulla e autostradës ka nisur hetimet për të përcaktuar detajet. Një dëshmitare okulare, Ariel Dehart, tha për CNN sesi një rulot ishte çarë në dysh para syve të saj. “Shikueshmëria ishte shumë e dobët për shkak të erës së fortë. Ajri ishte i ngrohtë, një çmenduri”, tha ajo.

Incidenti ndodhi të premten, rreth orës 16:30 me orën lokale, pak kilometra nga qyteza Hardin. Për shkak të përplasjes së makinave u krijua një radhë kilometrike me qindra mjete të tjera dhe rulotë të cilët nuk mund të lëviznin.