Gazprom, kompania ruse që ka monopolin e eksportit të gazit përmes tubacioneve në Rusi, ka paralajmëruar vendet europiane se për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, nuk mund të garantojë furnizimin me gaz.

Në një letër dërguar më 14 korrik drejt klientëve të saj, të lexuar nga Reuters, Gazprom thoshte se për shkak të “forcave madhore” ishte e detyruar të merrte masa. Klauzola në fjalë është e përfshirë në kontratat e Gazprom me klientët e saj dhe përjashton nga sanksionet apo detyrimet.

Uniper, kompania gjermane më e madhe që importon gaz nga Rusia, është mes klientëve që ka marrë letrën dhe zyrtarisht është përgjigjur se pretendimet e Gazprom janë të pajustifikuara.

Rreth një javë më parë, Rusia mbylli gazsjellësin Nord Stream 1, zyrtarisht për shkak të punimeve të mirëmbajtjes. Por Europa i frikësohet faktit se Moska ka vendosur të përdorë burimin e enërgjisë si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur.

Bashkimi Europian ka shpallur si objektiv ndalimin e importimit të hidrokarbureve ruse brenda vitit 2027, por kërkon që furnizimi të vazhdojë teksa përpiqet të gjejë alternativa.

Për Rusinë, gazi është një burim jetik të ardhurash, sidomos në kohë lufte. Sipas Ministrisë ruse të Financave, vendi mori rreth 113 miliardë euro nga shitja e naftës dhe gazit brenda gjysmës së parë të vitit 2022. Në total, për këtë vit, Rusia planifikon të arkëtojë 168 miliardë euro.