Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar në raportin e saj të fundit se Rusia vuan nga “një mungesë e madhe e këmbësorisë”, e cila po e detyron atë të përdorë mercenarë në front.

Një shembull i kësaj është Grupi Wagner, i cili ka qenë në Ukrainën lindore që nga fillimi i luftës. Inteligjenca britanike (MI6) thekson se “ky është një ndryshim i rëndësishëm në krahasim me përdorimin e mëparshëm të rrjetit në vitin 2015, kur ai merrej me misione të tjera nga ato të trupave”.

Sipas MI6, “roli i Wagner-it ndoshta ka ndryshuar për shkak të mungesës së madhe të këmbësorisë ruse, megjithëse forcat e tij nuk janë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim në rrjedhën e luftës”.

Nga ana tjetër, Ukraina ka raportuar se të paktën pesë persona kanë vdekur dhe 13 janë plagosur pas shpërthimit të një bombe thërrmuese ruse pranë një stacioni të transportit publik në qytetin Mikolaiv, në jug të vendit.

“Sulm me predha në një stacion të transportit publik”, njoftoi kryetarja e këshillit rajonal të Mikolaivit, Hanna Zamazeyeva, në llogarinë e saj në Telegram.

“Sulme të qëllimshme kundër civilëve. Aktet terroriste të Rusisë vazhdojnë. Për momentin ka pesë të vdekur dhe 13 të plagosur”, shtoi ajo.

Nga pala ruse, autoritetet e Republikës së vetëshpallur Popullore të Donjeckut kanë denoncuar këtë të premte vdekjen e 53 të burgosurve ukrainas në një sulm të ushtrisë ukrainase kundër një burgu në qytetin e Yelenovka. Qendra e Mbrojtjes Territoriale e Republikës Popullore të Donetskut ka raportuar se “në Yelenovka, 53 persona kanë vdekur dhe 75 të tjerë janë plagosur” dhe ka detajuar se burgu strehonte “të burgosur ukrainas të luftës”.