Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një sulm me raketa i Ukrainës në territorin e Donetskut i ka shkaktuar vdekjen 40 ushtarëve ukrainas, të burgosur lufte, ndërsa 75 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Pretendimet e palës ruse nuk janë konfirmuar ende nga Ukraina apo zyrtarë të tjerë perëndimorë.

“Një raketë u lëshua nga sistemi amerikan HIMARS në drejtim të burgut në Olenivka, ku mbaheshin të burgosur lufte, përfshi edhe luftëtarë të regjimentit Azov”, tha Ministria në raportin ditor.

Gjithashtu, kanë mbetur të plagosur 8 ushtarë rusë, që punonin në burgun ku mbaheshin trupat ukrainase para se të dilnin në gjyq.

Një media lokale pro ruse, Donetsk News Agency, raportoi më vonë se numri i viktimave ishte 53, duke cituar burime nga autoritetet e të vetëshpallurës Republikë Popullore të Donetskut.

Forcat e armatosura të Ukrainës mohuan të kenë kryer ndonjë sulm në burgun në fjalë, dhe thanë se kjo ishte një përpjekje e rusëve për të mbuluar viktimat e shkaktuara nga torturat dhe vrasjet e të burgosurve ukrainas.