Shkupi është gati për të shkruar historinë. Bardhekaltrit përballen këtë të martë me irlandezët e Shamrock Rovers në duelin e vlefshëm për turin e tretë të Europa League.

Pas disfatës 3-1 në ndeshjen e parë, skuadra nga Çairi nuk ka çfarë të humbë dhe do të luajë gjithçka për gjithçka vetëm për të fituar.

Pavarësisht se kanë në disfavor rezultatin, tekniku maqedonas Goce Sedloski ende shpreson te kualifikimi. Ai theksoi se i vinte keq për mënyrën sesi ekipi i pranoi golat në ndeshjen e parë, megjithatë tani fokusi kryesor duhet të jetë te ndeshja e kthimit.

Bardhekaltrit kanë treguar se asgjë nuk është e pamundur, aq më tepër që sot do të jenë së bashku me lojtarin e 12 , tifozërinë e zjarrtë.

Ekipi i shqiptarëve do të synojë kalimin e turit të tretë të Europa League-s dhe në rast kualifikimi, Shkupi do të siguronte minimum grupet e Conference League-s, duke shkruar historinë si asnjëherë më parë. Megjithatë edhe nëse eliminohen, aventura e shkupianëve nuk mbaron këtu,  pasi kampionët e kanë të sigurt fazën “play off” të Conference League-s ku mund te kemi një derbi shqiptarësh nëse Ballkani kualifikohet me Kaksvik.

Megjithatë, sot Shkupi mendon vetëm për ndeshjen vendimtarë ndaj irlandezëve të Shamrock Rovers. Ndeshja do të luhet sot në orën 21:00 në stadiumin e Shkupit.