Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, e ka gjetur veten mes polemikave. Shkak për këtë është bërë shpërndarja në rrjete sociale të disa materialeve të regjistruara në një festë private ku ajo shfaqet e shfrenuar në kërcime dhe këndime bashkë me personazhe të tjera publike.

Marin, u kritikua nga disa parti të opozitës, me një prej politikanëve që kërkoi nga kryeministrja të kryente një test për drogë. Ajo u përgjigj duke mohuar të ketë marrë substance të paligjshme dhe tha se vetëm kishte konsumuar alkool dhe se kishte kërcyer në një mënyrë të zhurmshme.

“Kërceva, këndova dhe festova, gjëra që janë të ligjshme. Kurrë nuk kam qenë në një situatë ku kam parë apo kam qenë në dijeni që të tjerët po merrnin drogë. Unë kam një jetë familjare, kam një punë dhe kam kohë të lirë ta kaloj me miqtë e mi”, tha kryeministrja.

Ndërkohë, të tjerë politikanë të opozitës kritikuan mediat dhe kryeministren që vendosin fokusin te një festë e parëndësishme, në vend të problemeve serioze me të cilat përballet vendi. 36-vjeçarja është kryeministrja më e re në moshë në mbarë botën dhe nuk e ka mbajtur asnjëherë sekret frekuentimin e festave me muzikë dhe shpesh është fotografuar në festivale.

Javën e kaluar, Marin u zgjodh si kryeministrja më interesante e globit nga media gjermane Bild.