Përveçse nuk e dinin se ishin në syrin e policisë, dy të rinjtë e arrestuar si pritës të 336 gramëve kanabis të ardhur me postë nga Anglia, nuk e dinin as që pakot kishin transmetues satelitor GPS.

Detajet e hetimit u rrëfyen në Gjykatën e Tiranës, në seancën në përfundim të së cilës u caktua masa e sigurisë “arrest në burg” për 18-vjeçarin Mariglen Vata dhe shokun e tij 17-vjeçar me iniciale D. Sh.Refeur dosjes së prokurorisë, droga në dy pakot e nisura nga Londra me përshkrimin “lodra për fëmijë” u konstatua nga Posta Shqiptare, për shkak te dyshimeve të krijuara në skaner dhe aromës që lëshohej prej tyre.

Më pas, me autorizim nga Prokuroria policia ka vënë GPS në to dhe ka vijuar me dorëzimin e kontrolluar të tyre për në filialin e postës në lagjen nr.13 në Durrës.

Rreth orës 14:30 të së mërkurës, për pakot që mbanin si pritës emratArmir Cena dhe Ardit Brahaj, është paraqitur t’i tërheqë 17-vjeçari.

Gjithë procesi ka ndodhur para syve të grupit të vëzhgimit dhe pasi është larguar me një taksi i mituri u arrestua tek rreth-rrotullimi i Plepave. Sipas hetimit, gjatë kohës së shoqërimit, ai është telefonuar disa herë nga shoku i tij Mariglen Vata, që dyshohet të ishte pritësi i drogës, i cili i ka dërguar edhe një sms me tekst “pse nuk përgjigjesh mër dajë, mër burrë”.

Pasi u shoqërua në Polici, në telefonin e Vatës u zbuluan disa foto dhe video ku shfaqej sasi kanabisi, si edhe një bisedë ku ai shprehej “s’më ke lënë gjë mangët, pa merak, do të mundohem unë”.

Dy të rinjve iu janë marrë mostra urinë, për të konstatuar nëse janë përdorues të drogës, ndërsa telefonat e tyre do të dërgohen për ekspertim të hollësishëm në policinë shkencore.