Vladimir Putin ndoshta nuk po fiton luftën tradicionale në terren, por deri më tani po fiton betejën për furnizimin e Europës me gaz dhe naftë.

Sipas të dhënave të botuara ndër të tjerat nga italiania Unimpresa, deri më tani vendet e BE-së kanë paguar burimet natyrore ruse, të domosdoshme për ngrohjen dhe funksionimin e industrive përkatëse, gati 170 miliardë euro, një shifër që mund t dyfishohet dhe të shkojë deri në 250 miliardë deri në mesin e shtatorit.    

Një mal me para me të cilin Putin po financon luftën dhe po tenton të zbusë efektet ekonomike të sanksioneve ndërkombëtare ndaj vendit që drejton prej më shumë se dy dekadash.

Nga këto, sipas të dhënave 93 miliardë janë marrë nga Moska vetëm gjatë 100 ditëve të para të konfliktit, dhe me ftohjen progresive të motit në vendet e Europës veriore, në veçanti Gjermani dhe Holandë do të gjenden në një situatë të vështirë, që mund të bllokojë ekonomitë e tyre, dhe si pasojë të gjithë Bashkimin Europian.

Sipas Goldman Sachs, rritja e çmimeve gjatë verës, ku vetëm gazi ka kaluar nga një çmim reference 87 euro para konfliktit në 257 të javës së kaluar, mund të shkaktojë në vjeshtë “një traumë të paprecedentë në Europë”.

Efektet si racionimi i energjisë dhe mbyllja e përkohshme e disa fabrikave është tashmë një skenar realist, që mund të përkeqësohet edhe më shumë në qoftë se Moska do të vendosë të nderpresë për arsyeje të ndryshme furnizimin. Siç po ndodh edhe këto dite, ku për shkak të një “keqfunksionimi”, sipas rusëve, të turbinave të gazsjellësit Nord Stream, fluksi është tejet i kufizuar.