Ndonëse jemi në ditët e fundit të muajit gusht, fluksi i vizitorëve nga Kosova nuk njeh ulje. Megjithë heqjen e kontrollit doganor ne kufirin e përbashkët, sërish fluksi i lartë i hyrjeve në vendin tonë gjatë kësaj fundjave, ka krijuar radhë të gjata kilometrike.

Siç konstatohet edhe nga pamjet, segmenti rrugor Morinë-Kukës deri në urën e Drinit të zi, ka patur fluks të lartë trafiku, i cili ka nisur qenë orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.

Sipas të dhënave nga autoritetet e policisë kufitare, vetëm gjatë orëve të mëngjesit të së shtunës kanë hyrë në vendin tonë nga Kosova rreth 40 mijë persona. Ndërsa nga fillimi i muajit gusht e deri tani, numri i personave që janë futur nga Kosova drejt vendit tonë i kalon 400 mijë vizitorë.

Ashtu si në vitet e kaluara, shtetasit e Kosovës përbëjnë përqindjen më të lartë të vizitorëve që zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore. Dhe lehtësirat e krijuara ne kufi, ku gjatë fundjavave dhe festave zyrtare hiqen verifikimet doganore, duket se kanë rritur akoma me shumë fluksin e lëvizjeve mes dy shteteve shqiptare.