Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit rus, pas fillimit të luftës në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin shpalli një mobilizim të pjesshëm.

Kreu i Kremlinit deklaroi se është shumë e nevojshme për të marrë masa urgjente për të mbrojtur njerëzit në Donbas dhe për të çliruar tokat.

Putin shton se dekreti tashmë është firmosur dhe mobilizimi i pjesshëm nis prej ditës së sotme. Sipas këtij vendimi, pritet që ushtrisë t’iu bashkohen rezervistët, ndërkohë që edhe qytetarët që dëshirojnë të mobilizohen do të kenë statusin e forcave të armatosura.

Më tej, lideri rus nuk harroi të akuzonte Perëndimin se ka për qëllim që të shkatërrojë Rusinë dhe se po i përdor ukrainasit si “mish për top”. Ai shtoi se vendet perëndimore po e tregojnë nga dita në ditë se nuk duan paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Nëse integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi. Ky nuk është një blof. Integriteti territorial i atdheut tonë, pavarësia dhe liria jonë do të sigurohet, e përsëris me të gjitha mjetet që kemi. Ata që përpiqen të na shantazhojnë me armë bërthamore duhet të dinë se erërat mund të kthehen në drejtimin e tyre”, tha mes të tjerash Putin.