Në Kongresin Amerikan është iniciuar një projektrezolutë për të dënuar me forcë sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërinë.

Kështu raporton “Zëri i Amerikës”, që bën me dije se dokumenti është dorëzuar në Dhomën e Përfaqësuesve nga bashkëkryetarët e grupit të çështjeve shqiptare.

“Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, thotë ligjvënësi nga Nju Jorku, Ritchie Torres.

Projekt-rezoluta, tekstin e së cilës e ka parë Zëri i Amerikës, inkurajon bashkërendimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për t’u siguruar që mekanizmat e saj për sigurinë kibernetike të jenë të afta për t’u mbrojtur kundër ndërhyrjeve dhe sulmeve të ardhshme të mundshme kibernetike.