“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”, Kështu ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, para gazetarëve.

Sipas tij Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Pozicioni ynë sa i përket Kosovës po bëhet gjithnjë e më i komplikuar sepse sot kemi në tavolinë një propozim nga Franca dhe Gjermania, të cilin na është dashur ta diskutojmë sepse nuk mund ta hedhësh nga dritarja propozimin e dy fuqive më të mëdha evropiane”,

Një propozim i tillë, sipas Vuçiçit është i papranueshëm për Serbinë.

“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, sepse diçka e tillë do të kishte pasoja”, ka thënë mes tjerash ai.

Serbia nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, edhe pse vendi i tij do të ketë lehtësime për anëtarësim në BE si dhe përfitime financiare.

Presidenti i Serbisë tha se “mund të na marrin gjithçka, por edhe do të luftojmë”, edhe pse, vijoi ai, parashikimet janë të këqija.

“Por, sido që të jetë, në këtë moment në konsultime me kryeministren konstatuam se nuk ekziston vullneti për ta pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se muajin e ardhshëm do të nisë procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

“Ajo që na pret është që më 2 apo 3 nëntor të fillojë procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, po presin që anëtari hungarez të largohet nga Byroja e Komitetit të Ministrave dhe të zëvendësohet nga një anëtar lituanez dhe atëherë do të fillojnë procedurën që zgjat shumë, por me një rezultat të qartë që Kosova të hyjë në Këshillin e Evropës, nuk do të ushtrohej presion shtesë ndaj Serbisë”, tha Vuçiç.

Qëllimi, siç tha ai, është që Beogradi të lejojë pavarësinë e Kosovës edhe në kuptimin formal.

“Në këtë moment nuk ka vullnet në lidershipin serb dhe derisa të jem presidenti, nuk do të ketë vullnet për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha Vuçiç.