Komisioni Europian u ka dërguar një raport të brendshëm vendeve anëtare të BE, duke rikonfirmuar se Kosova ka vazhduar edhe sot t’i plotësojë të gjitha kushtet, që nga viti 2018, kur Komisioni vlerësoi për herë të parë se kriteret ishin përmbushur.

Në qarkoren e shpërndarë këtyre vendeve, Komisioni përmend progresin e mëtejshëm të Kosovës në një sërë fushash. Ky i fundit mbetet vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk përfiton nga lëvizja e lirë, duke bërë që qytetarët e saj t’i nënshtrohen regjimit të vizave.

Në përfundimin e kësaj letre, të cilën A2 CNN e ka parë, theksohet se “Kosova ka vendosur një kornizë të fortë ligjore dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për të adresuar rreziqet mbi çështje të sigurisë dhe emigracionit”. Sipas Komisionit Europian, diçka e tillë mbështetet në raportet vjetore të këtij institucioni.

“Në dritën e progresit të arritur në fillim të 2018-s, Komisioni rekomandon që Këshilli [i BE-së] dhe Parlamenti Europian të lëvizin përpara me propozimin e Komisionit të 4 majit 2016,” thuhet në letër. Kjo datë, përkon me sugjerimin e parë nga Komisioni drejtuar Këshillit të BE-së, ku kishte propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Që nga raporti i vitit 2018, Kosova ka vijuar të konsolidojë progresin në disa fusha kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Rrjedhimisht, baza për rekomandimin e vitit 2018 nga Komisioni për t’i çliruar shtetasit e Kosovës nga nevojat për t’u pajisur me vizë për qëndrime të shkurtra [në zonën Shengen] mbetet në fuqi”, theksohet në komunikim.

E thënë ndryshe, Komisioni Europian u ka thënë vendeve anëtare se rekomandimi i vitit 2018 për liberalizmin e vizave për Kosovën, mbetet në fuqi duke qenë se i njëjti institucion vlerëson se vendi jo vetëm që vazhdon t’i përmbushë këto kushte edhe sot, por madje, ka shënuar progres të mëtejshëm.

Në fillim të muajit gusht, Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha për A2 CNN se vendet anëtare të BE-së kishin kërkuar që të njihen me një përditësim të raportit të vitit 2018. Ai njoftoi se një përditësim mbi progresin e vazhdueshëm të vendit në përmbushjen e kritereve, i përgatitur nga qeveria e Kosovës, do t’i dërgohej ato ditë Komisionit Europian, i cili pasi të përpilonte edhe vlerësimet e veta, do t’u shpërndante vendeve anëtare një raport mbi situatën.

Pritja e gjatë

Bashkimi Europian nisi procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në janar 2012. Në mënyrë të përsëritur, Komisioni Europian ka deklaruar që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizmin e vizave. Sot, 10 vjet nga nisja e procesit, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka përfituar nga lëvizja e lirë brenda zonës Shengen.

Krahasimisht, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut e përfituan liberalizimin në vitin 2009, Shqipëria dhe Bosnja në 2010-n, Moldavia në 2014-n, Gjeorgjia dhe Ukraina në 2017-n.

Rekomandimet e përsëritura për liberalizimin e vizave për Kosovën, kanë ngecur tradicionalisht në Këshillin e BE-së, ku disa prej vendeve anëtare nuk kanë votuar në favor të këtij vendimi për arsye, që sipas ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë, kanë qenë kryesisht politike dhe që nuk kanë pasur të bëjnë me Kosovën në vetvete.

Vetoja më e zëshme në Këshill, sipas eurodeputetëve gjermanë dhe përfaqësuesve kosovarë, ka qenë ajo e Francës. Por Presidenti francez Emanuel Macron dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaruan njëzëri në fillim të shtatorit se ishin në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Zëra nga qeveria dhe shoqëria civile kosovare kanë konfirmuar për A2 CNN se aktualisht nuk rezulton asnjë shtetet anëtar i BE-së që të ketë kundërshtime ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën. Synimi i një fushatë ndërkombëtare lobuese për liberalizimin është që ky vendim të finalizohen brenda afatit të presidencës çeke mbi Këshillin e Bashkimit Europian.