Mund të ishte një e dielë tragjike ajo e Çmimit të Madh të Japonisë, edhe pse fatmirësisht gjithçka kaloi pa pasoja.

Një kamion doli për të hequr Ferrarin e shkatërruar të Carlos Sainz, me makinat ende në pistë dhe në kushte shikueshmërie të dobëta për shkak të shiut. Pierre Gasly ngriu kur pa traktorin në drejtim të kundërt, brenda pistës dhe me shpejtësi të madhe, pak çaste para se të dilte flamuri i kuq. Ishin momente tensioni të jashtëzakonshëm, edhe për faktin se Jules Bianchi humbi jetën në një aksident shumë të ngjashëm, po në Japoni, në vitin 2014.

FIA hetoi pilotin francez sepse Alpha Tauri i tij regjistroi 250 km/h në momentin e ngjarjes dhe komisarët e dënuan me 20 sekonda dhe 2 pikë në patentë. Por, ende nuk është sqaruar se në cilin moment këta komisarë lejuan të hynte një traktor në kushte të dobëta shikueshmërie dhe me 18 njëvendëshe që xhironin në pistë.

Vetë Gasly u shpreh kështu për mediat pas garës: “Ne humbëm Jules Bianchi tetë vjet më parë në kushte të ngjashme, me një traktor që ndodhej në zhavorr. Nuk e kuptoj se si tetë vjet më vonë, në kushte të ngjashme, traktori nuk është në zhavorr, por brenda pistës. Është një incident dramatik, atë ditë mësuam se nuk donim të shihnim fare traktorë në pistë. Nëse do ta kisha humbur kontrollin e makinës si Carlos e humbi një xhiro më parë… Nuk ishte problemi se isha me 250 km/h. Edhe nëse do të isha me 100 km/h, nëse humbas kontrollin e makinës dhe godas traktorin, do të isha i vdekur tani. Jam mirënjohës që ende mund të flas me familjen time dhe jam gjallë. Për sigurinë e pilotëve, shpresoj se kjo është hera e fundit që shohim një traktor në pistë”.

“Kur shoh që jam duke ecur me 250 km/h, u mundova të ngadalësoj shpejtësinë pa bërë gabime sepse nëse frenoj fort, do humbja kontrollin. Unë isha 2 metra larg vdekjes sot dhe kjo nuk është e pranueshme. Ne ishim të gjithë në bokse një minutë më vonë. Të rrezikoj jetën time për një minutë? Kjo është e papranueshme”, shtoi Gasly.