Regjim gjobash për një seri shkeljesh tatimore. Nga 2-fishim mase administrative për bizneset që nuk deklarojnë punonjësit apo pagën reale të tyre në ndëshkim 25 mijë, 50 mijë e 750 mijë lekë për mallrat e pashoqëruar me dokumentet përkatëse apo penalitete deri në 45 mijë lekë për shkeljet e fiskalizimit dhe nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë për pengim të hetimit tatimor.

Janë këto disa nga masat e ashpërsuara, të prezantuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë si pjesë e paketës fiskale të vitit të ardhshëm.

Në dokumentin e hedhur për Konsultim Publik, synohet gjithashtu krijimi i një databaze të pagave të individëve si dhe kalimi i Hetimit Tatimor te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Gjithashtu kërkohet nga bizneset të mbajnë një limit të parave “cash” në arkë gjatë ditës së punës dhe ulet gjoba për mosdeklarimin e të ardhurave në kohë në 3 mijë lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë argumenton se masat e propozuara do të luftojnë informalitetin dhe evazion fiskal.

Për ekspertë të fushës, në vend të vendosjes së masave administrative gati absurde, e udhës do të ishte përmirësimi i marrëdhënies me sipërmarrjes dhe Administratës Tatimore.