Franck Ribery ka vendosur që të tërhiqet nga futbolli në moshën 39-vjeçare.

Kishte disa ditë që qarkullonin zërat për fundin e karrierës së francezit që luan me Salernitanën dhe sot gjithçka u zyrtarizua. Sulmuesi i krahut i jep lamtumirën futbollit pas aventurave me Alés, Brest, Metz, Galatasaray, Marseille, Fiorentina dhe Bayern Munchen, aty ku fitoi 24 tituj në 12 sezone.

Trajneri i Salernitanës, Davide Nicola, zyrtarizoi lajmin në konferencë për shtyp, duke njoftuar edhe detyrën e re që do të ketë nga sot e tutje Franck Ribery.

“Të gjithë e dimë se çfarë ka përfaqësuar Ribery në botën e futbollit dhe ne jemi shumë të lumtur që ai ka vendosur që të qëndrojë te Salernitana, edhe pse me një tjetër detyrë. Jam i kënaqur që do ta kem në stafin tim teknik. Mund të kishte zgjedhur çdo vend të botës, por na zgjodhi neve”, tha Nicola.

“Ai mund të bëhet trajner sepse ka personalitet, njohuri dhe aftësi për të lexuar momentet e lojës. Ka shumë dëshirë që të mësojë dhe unë shpresoj që të jenë në stol me mua që nesër”, shtoi trajneri i Salernitanës.

Këtë sezon, Franck Ribery kishte luajtur vetëm 96 minuta, pas problemeve në gju që e detyruan të tërhiqej përfundimisht.

Sulmuesi ka luajtur 713 ndeshje me klubet, duke shënuar 163 gola. Me Francën, ka luajtur 81 ndeshje, duke shënuar 16 gola.