Pandemia i detyroi njerëzit të punonin nga shtëpia, por tashmë një pjesë e madhe po e kërkojnë si një zgjidhje të përhershme.

Edhe në Shqipëri, po preferohet gjithnjë e më shumë, sidomos nga të rinjtë, të punuarit jashtë ambienteve të zyrës.

Punëmarrësit në fusha si teknologjia e informacionit apo marketingu thonë se janë më komodë të punojnë në orare fleksibël dhe jashtë ambienteve të zyrës.

Puna nga shtëpia rrit njëkohësisht rrezikun e evazionit, duke shmangur derdhjen e kontributeve dhe taksave në sistemin shqiptar, veçanërisht për ata që punojnë për kompani të huaja.

Qendra për të drejtat në punë thekson se të punuarit nga shtëpia ul ndjeshëm stresin dhe iu mundëson punonjësve të kalojnë më shumë kohë në familje. Nga ana tjetër, duhet pasur kujdes që punonjësit të kenë kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin, edhe për t’u socializuar dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre në punë. Studimet tregojnë se punonjësit në distancë ishin 22% më të lumtur se punonjësit në një mjedis zyre dhe qëndrojnë më gjatë në punë.