Irani pretendon se ka zhvilluar një raketë të re hipersonike e cila mund të depërtojë në të gjitha sistemet e mbrojtjes anti-ajrore që njihen deri në ditën e sotme.

Lajmi u dha nga gjenerali Hajizadeh, i cili shpjegon se raketa e re balistike në dispozicion të Teheranit mund të lëvizë me shpejtësi shumë të lartë, si dhe mund të manovrohet si brenda ashtu dhe jashtë atmosferës.

Hajizadeh e konsideroi këtë armë të re si një hap përpara për Iranin në fushën e teknologjisë ushtarake.

Deri në këto momente, vetëm për Rusinë ka të dhëna se disponon teknologjinë hipersonike, Kina ka kryer testime të ngjashme vitin e kaluar, po ashtu dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që Koreja e Veriut ka nxjerrë në parada disa raketa, por nuk ka të dhëna nëse ato funksionojnë.