Bordi i Transparencës ka publikuar, këtë të premte, çmimet e ndryshuara tavan për naftën, benzinën dhe gazin natyror. Bordi i përcaktimit të çmimit të shitjes së karburanteve ka ulur çmimet. Nafta do të kushtojë 218 lekë për litër duke u ulur kështu me 3 lekë, benzina 200 lekë, 4 lekë më pak se vendimi i fundit. Rënia ka pasuar edhe çmimi i gazit që do të kushtojë 71 lekë nga 73 lekë për litër që ishte. Sipas Bordit të Transparencës, çmimet e reja vijnë si pasojë e rënies së çmimit të karburanteve në bursa dhe forcimit të lekut në raport me dollarin.

Çmimet e vendosura janë

Çmimi i shitjes me pakicë i naftës, jo më shumë se 218 lekë/litri (ishte 221), ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 206 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës, jo më shumë se 200 lekë/litri (ishte 204), ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 188 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i gazit, të jetë 71 lekë/litri me pakicë (ishte 61 lekë/litri) dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 121 lekë/litër.

“Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 17.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 907, – 42 nga data 15.11.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 987, -37 nga data 15.11.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar rritje në 113.39 (+0.66 nga data 15.11.2022)”

Bordi i Transparencës
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 18 Nëntor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

“Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës”.

Bordi i Transparencës