Mëngjesi i kësaj të marte ka shënuar një përmirësim të vogël të situatës së përmbytjeve në Bashkinë e Shkodrës.

Niveli i ujit në zonat e përmbytura ka pësuar një tërheqje të lehtë, ndërsa te vendi i quajtur Harku i Bërdicës, uji është tërhequr nga shtrati i rrugës, duke normalizuar qarkullimin.

Gjithashtu, është hapur qarkullimi për mjetet edhe në urën e Bahçallëkut në hyrje të qytetit të Shkodrës. Aktualisht, nga të dhënat e bashkësisë së Shkodrës, rezultojnë të përmbytura 1685 ha tokë në njësitë administrative, Ana e malit, Dajç, Velipojë, Guri i Zi dhe Bërdicë. Në zonat e përmbytura janë 5 banesa që kanë prezencë uji në oborre dhe në brendësi, ndërsa që ka nisja e përmbytjeve fundjavën e kaluar janë evakuuar gjithsej 26 familje me 99 persona.

Në zonat e përmbytura janë prezente edhe forcat e ushtrisë me mjete të larta dhe varka për të mundësuar ndërhyrjen në raste emergjence, si dhe transportin e personave.

Ndërkohë pritet që mbrëmja e së martës të rikthejë sërish problematikën e shtimit të sipërfaqeve të përmbytura, pasi parashikohet një shtim i ndjeshëm i reshjeve, çka mund të provokojë shkarkime më të mëdha edhe nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit, të cilat kanë ndikimet e tyre në përmbytjet e zonave të Nënshkodrës.