Bëhet fjalë për 61,613 lekë. Në këtë nivel llogaritet paga mesatare bruto në Shqipëri, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT. Në kulmin e krizës, një shqiptar mesatar paguhet 9.2% më shumë se një vit më parë, për një diferencë prej 5,178 lekësh.

Ndryshe nga në të shkuarën, presioni për rroga më të lartë vjen nga sektori privat dhe jo nga administrata. Aq e madhe është nevoja për të mbajtur punonjësit, saqë rritja e pagave në një vit është më e lartë se sa nga viti 2018 deri në vitin 2021 marrë së bashku.

Në përqindje, rritja më e madhe e pagave ka ndodhur në sektorët e paguar më pak në vend si bujqësia, tregtia, ndërtimi dhe industria, nga 11 deri në 15,7%, mesatarisht me 5,700 lekë më shumë se një vit më parë.

Sipas sindikatave, edhe kjo rritje është e pamjaftueshme, çka vërtetohet nga numri i lartë i atyre që largohen nga puna në këto sektorë për të shkuar jashtë shtetit.

 “Pjesa më e madhe e të rinjve në këto sektorë kanë ikur jashtë shtetit prej pagave të ulta”, pohon kreu i Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci.

Pjesa kryesore e rritjes në sektorët më pak të paguar ka ardhur si rezultat i rritjes së pagës minimale. Paga më e ulët ligjore në fuqi nga 1 Tetori është 34 mijë lekë, që pritet të reflektohet në të dhënat e pagave për fundin e vitit.

Ndërsa qeveria ka deklaruar se brenda vitit 2023 do të rritet në 38 mijë lekë. Por sipas përfaqësuesve të sindikatave, janë vetë kompanitë që duhet të ndërgjegjësohen. Si për të mbajtur fuqinë punëtore, ashtu edhe për të ofruar një pagesë dinjitoze për punonjësit e tyre.

“Paga minimale 4mijë lekë nuk duhet të përdoret fare, në sektorin e industrisë”, vijon Koleci.

Sipas të dhënave të INSTAT, janë profesionet më të paguara që sot po marrin më shumë se një vit më parë: ato në sektorin financiar dhe në atë të informacionit dhe teknologjisë, me rritje përkatësisht 10,500 dhe 8,600 lekë.

Me normën e inflacionit të fiksuar zyrtarisht në 7.9%, rezulton se pagat janë rritur më shpejt se sa çmimet. Diferencë të vetme bëjnë sektori i argëtimit, që po vuan nga rënia e konsumit, si dhe administrata publike.