Të paktën 5 persona kanë humbur jetën, ndërsa me dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një autobus u aksidentua dhe më pas u bë shkak për një zjarr masiv brenda një tuneli në Seul të Koresë së Jugut.

Pamjet tronditëse treguan flakët e mëdha dhe shtëllungat e tymit të zi që ngriheshin në qiell, ndërsa me dhjetëra zjarrfikës luftuan për të vënë flakët nën kontroll.

Fillimisht, autobusi u përplas me një kamion, e më tej flakët u përhapën me shpejtësi në makinat e tjera që ndodheshin në tunelin e krijuar për të mbrojtur ndërtesat nga zhurmat e autostradës. Zjarri dogji të paktën 44 automjete.