Influenceri kontrovers, Andrew Tate, dhe i vëllai i tij, Tristan, dolën nga burgu një ditë më parë, pasi gjykata në Rumani vendosi t’i ndryshonte masën e sigurisë në “arrest shtëpie”.

Nuk ka vonuar shumë dhe Andrew ka postuar një video të shkurtër nga shtëpia e tij. Në videon e shkurtër, ai shfaqet pa bluze dhe me një puro në dorë, ndërsa falënderon fansat e tij për mbështetjen që i kanë dhënë, ndërsa ishin në burg.

Së bashku me ta, e njëjta masë u dha dhe për dy bashkëpunëtore, Georgiana Naghel dhe Luana Radu, të cilët do të duhet të qëndrojnë në apartamentet ku jetojnë deri në një vendim tjetër të gjykatës.

Vëllezërit u arrestuan në dhjetor nga policia rumune dhe po hetohen për akuzat e përdhunimit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe formimin e një grupi të organizuar kriminal.

Sipas autoriteteve rumune, në vilën e tyre luksoze në periferi të Bukureshtit mbaheshin 6 vajza, të cilat detyroheshin të xhironin video pornografike.

Tate u bë i famshëm në vitin 2016, kur u përjashtua nga Big Brother në Britaninë e Madhe pasi nisi të qarkullonte në rrjet një video ku ai shihej teksa godiste një grua me kamxhik. Në atë kohë, ai tha se video ishte manipulim i bërë për ta diskretituar.

I lindur në Çikago, Tate është djali i një amerikani që ka punuar në Britaninë e Madhe si pjesë e Forcave Ajrore dhe që gjithashtu ishte një kampion shahu. Prindërit e tij u takuan në Mbretërinë e Bashkuar e më pas u transferuan në SHBA, ku Tate u rrit derisa prindërit e tij u ndanë. Më pas, ai u transferua në Luton të Anglisë, ku jetoi me të ëmën.

Në TikTok, videot me hashtag #AndrewTate kanë më shumë se 12,7 miliardë shikime. Në këto video përfshihen edhe ato ku kritikohet influenceri dhe stili i tij i jetës. Në intervistat që ai realizon në rrjetet sociale i përshkruan gratë si “përtace” dhe gjithashtu pretendon se “femra e pavarur” nuk ekziston.

Ai e përshkruan veten si “milioner i realizuar vetë” e madje në një intervistë të fundit pretendon se tashmë është bërë miliarder. Biznesi më fitimprurës sipas tij është ai i “webcam”, ku vajzat flasin dhe performojnë para njerëzve që qëndrojnë nga ana tjetër e ekranit dhe paguajnë për të parë.