Shqipëria dhe bukuritë e saj natyrore duket se kanë tërhequr vëmendjen e disa mediave të huaja prestigjioze, ku pas botimit të guidës franceze “Petit Futé” dhe artikullit promovues të prestigjiozes britanike “BBC”, ka qenë gazeta belge “Le Soir”, e cila ka sugjeruar vendin tonë si një destinacion për t’u vizituar.

Në një artikull kushtuar plazheve që duhen vizituar në vitin 2023, “Le Soir” shkruan se nuk duhet humbur Ksamili, duke e konsideruar si “Maldivet në zemër të Europës”.

Në lidhje me këtë artikull ka reaguar edhe kryeministri Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Pas BBC në Britani, ftesa e radhës vjen nga gazeta më e madhe në Belgjikë #LeSoir që në këto ditë të para janari promovon Shqipërinë si “Maldivet në zemër të Europës”, duke i bërë jehonë plazheve të Ksamilit, gjireve të vijës bregdetare, akomodimit në hotelet cilësore dhe siteve arkeologjike që duhen vizituar se s’bën”.

Postimi i Kryeministrit Rama në rrjetet sociale
PJESË NGA ARTIKULLI

“Po sikur t’ju thoshim se mund të gjeni plazhe si në Maldiveve pa u larguar nga Evropa? E keni të vështirë ta besoni? Në Tik-Tok dhe Instagram një destinacion është gjithë bujë: është Shqipëria, e pozicionuar në gadishullin Ballkanik në Evropën Juglindore.

2136 kilometra larg kryeqytetit tonë, Shqipëria shfaqet si një vend ideal për ata që janë në kërkim të hapësirave të mëdha si parajsë. Në rrjetet sociale tashmë përdoret edhe pseudonimi “Maldives of Europe”.

Ksamili, i vendosur në jug të vendit konsiderohet një nga plazhet më të bukur në Evropë. Për shkak se Riviera Shqiptare është shumë më shumë se 100 km vijë bregdetare, ajo ka gjithashtu limane të fshehura dhe zona arkeologjike që lënë pa frymë.

Prej disa kohësh, Ksamili është kthyer në vendin e duhur dhe mund të gjesh shumë hotele luksoze që të kujtojnë ato në Maldive. Një nga pikat më të nxehta? Padyshim plazhi i Pemës së Thatë, me shezlongët me rrjetë me pamje nga deti.