Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aty ku një fëmijë vetëm 6 vjeç ka qëlluar me armë zjarri brenda ambienteve të shkollës një mësuese.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas orës 14:00, me atë lokale, ditën e premte në shkollën fillore Richneck në qytetin e Newport News, tha shefi i policisë Steve Drew. Mësuesja, e cila raportohet të jetë rreth 30 vjeçe, emri i të cilës nuk është bërë i ditur, ka mbetur e plagosur rëndë.

Policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe konkretisht si fëmija arriti të futej me armë në ambientet e shkollës. Policia tha se e shtëna me armë nuk kishte qenë aksidentale.

Ngjarja ndodhi në ambientet e klasës së parë, ndërsa thuhet se fëmija me mësuesen kishin debatuar më herët. Në shkollë ndodheshin më shumë se 500 nxënës, por fatmirësisht nuk pati persona të tjerë të lënduar.