Në një kohë kur Meksika po zien nga dhuna që ka shpërthyer që prej mbrëmjes së djeshme pas arrestimit të njërit prej djemve të “El Chapos”, ka reaguar edhe vajza e këtij të fundit.

Rosa Isela Guzman, vajza e madhe e Joaquin Guzman ‘El Chapo’, publikoi një mesazh në të cilin shihet duke buzëqeshur në veturën e saj me një këngë në sfond.

“Familja Guzman nuk ka mbaruar, karteli po funksionon fuqishëm…

Po kështu ajo ka publikuar letra që i ka shkruar i ati, për momentin nuk dihet nëse i janë dërguar nga burgu i Florences, Kolorado.

Po kush është Rosa Isela Guzman?

Rosa Isela Guzman, vajza e madhe e Joaquin el Chapo Guzman, themeluesit të kartelit Sinaloa, është një figurë pak e njohur. Ashtu si të gjithë ata që janë pranë trafikantit të drogës, ajo ka qenë gjithmonë në lëvizje duke ndryshuar lokacion.

Emri i saj u bë i njohur në vitin 2015 kur, në një intervistë, ajo tregoi sesi, falë mbrojtjes së politikanëve meksikanë, babai i saj mundi të arratisej nga burgu i Altiplanos.

Rosa është drejtuese e disa bizneseve në Kaliforni, si sallone bukurie, kafene dhe lavazhe. Ajo ka katër fëmijë, ndërsa babai i dy prej tyre është Vicente Zambada Niebla, djali i Ismael “El Mayo” Zambada, “El Vicentillo”, i arrestuar në vitin 2009 dhe i ekstraduar në Shtetet e Bashkuara.