“Dinamika e operacionit special ushtarak në Ukrainë, është pozitive. Gjithçka po shkon sipas planit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Moskës zyrtare. Shpresoj që ndryshimet tona, të jenë frytdhënëse në rezultate”.

Kështu është shprehur Vladimir Putin në një intervistë për televizionin shtetëror rus, duke saktësuar se mes objektivave të Kremlinit, është mbrojtja e njerëzve, edhe e ushtarëve, nga bullizmi së pari, e më pas edhe nga gjenocide i ushtruar nga regjimi i Kievit, tashmë prej 8 vitesh.

Më pas, sipas presidentit rus, objektivi final është çlirimi i Donbasit e krijimi i kushteve që do t’i mundësonin e garantonin madje, sigurinë e rendin edhe në vetë Rusinë.

Deklaratat e pritshmëritë e Putinit, konfirmohen edhe nga ministri i tij i Mbrojtjes, i cili thotë se një tjetër sulm, me raketa, ka nisur mbi të gjithë Ukrainën, mbi të gjitha mbi strukturat e saj energjetike.

Qëllimi i sulmit u arrit tha ministri Sergey Shoigu, mes të cilave objektiv duket se ishte edhe Dnipro, atje ku u qëllua ndaj një kompleksi banimi, ku humbën jetën 21 civilë, mes tyre edhe fëmijë.

Forcat ruse kanë bombarduar edhe zona të tjera rezidenciale, në Kherson, Kharkiv e kryeqytetin Kiev, me atë që sipas Kremlinit, është vetëm nisja e një tjetër viti të gjatë për ushtrinë ruse në këtë operacion special.

Me luftën në muajin e 11, presidenti Ukrainas Zelensky, i kërkon edhe njëherë, dëshpërimisht, Perëndimit, më shumë armë, për të parandaluar të tjera vdekje, nga ajo që ai e përshkruan “terrori rus”.

“As koha dhe asnjë lloj bindje, nuk do t’i ndalë terroristët, që po vrasin njerëzit tanë me raketa, dronë të blerë nga Irani, me artilerinë e tyre, tanke e mortaja. E gjithë bota e di sesi t’i ndalojmë ata. Fatkeqësisht, objektet e infrastrukturës energjetike janë goditur. Situate më e vështirë është në rajonet e Kharkiv e Kiev. Ekipet tona në terren po bëjnë gjithçka për të rikthyer energjinë elektrike. Por ne kemi nevojë për furnizime, sa më parë të jetë e mundur”, tha Zelensky.

Qeveritë e perëndimit po konsiderojnë mundësinë për të dërguar tanke në fushëbetejën e Kievit dhe pritet të takohen të premten e ardhshme në Ramstein të Gjermanisë, për të shpallur paketën e radhës të ndihmës ushtarake për Ukrainën.