16 deputetët e grupimit të Berishës, kanë kërkuar të futet në rend të ditës së seancës së kësaj të enjteje në Kuvend, çështja e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal.

“Ne qëndrojmë këtu, nuk lëvizim, po deshe ti deri pasnesër në drekë”, u shpreh Berisha, i cili së bashku me debutetët demokratë qëndrojnë në foltoren e Kuvendit.

Berisha u shpreh se Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të shkojë të dëshmojë në Amerikë për këtë çështje.

“Shqipëria gjendet çdo ditë në epiqendër të një cikloni që do të poshtëronte çdo vend të madh. Kryeministri, ministrat e tij, këshilltarë të tij, janë të implikuar direkt në një aferë korruptive në korruptimin e njërit prej njerëzve me njohuri më të jashtëzakonshme, më sensitive, në SHBA për sigurinë e këtij vendi, por edhe sigurinë e vendeve të lira. Prej muajsh, një juri ka urdhëruar hetimin e çdo mesazhi, çdo takimi, çdo udhëtimi, midis McGonigal, Dorian Duçkës, Agron Nezës dhe Edi Ramës. Kjo juri e citon në vendimin e saj në mënyrë të përsëritur Edi Ramën. Ky kryeministër ka kryer një krim të shëmtuar, ka keqshfrytëzuar një njeri të pamoral, e ka përdorur për qëllime të pushtetit të tij, kundër opozitës, e ka përdorur për manipulime. Kjo ndodh vetëm në Korenë e Veriut. Sot nuk mund të ketë debat tjetër në Parlament veç këtij debati. Rama të vijë këtu ose të shpallë dorëheqjen dhe të shkojë të dëshmojë në Amerikë.”

Në fund, kërkesa e grupimit demokrat për të futur në rend të ditës debatin për çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal, u rrëzua.

Pasi nuk iu bind kryetares së Kuvendit për t’u larguar nga foltorja, Nikolla vendosi përjashtimin e Berishës nga seanca.

Për çfarë akuzohet Charles McGonigal

Ish-shefi i kundërzbulimit të FBI-së në Nju-Jork, Charles McGonigal, u akuzua për dy vepra penale të hënën pasi dyshohet se ka punuar me një oligark rus të sanksionuar nga SHBA pas daljes në pension si dhe ka fshehur qindra mijëra dollarë të marra nga një ish-zyrtari i shërbimeve shqiptare, teksa ishte ende në detyrë.

Burime për CNN thanë se McGonigal, i cili ka punuar prej 22 vitesh në FBI dhe u largua nga detyra në vitin 2018, u arrestua të shtunën e kaluar në aeroportin “John F. Kennedy” teksa po kthehej nga një udhëtim nga jashtë Amerikës. Që prej të shtunës, ai është lënë i lirë me kusht dhe është detyruar të dorëzojë pasaportën dhe të mos kryejë udhëtime ndërkombëtare.

Përmes avokatit të tij ai hodhi poshtë akuzat gjatë daljes para një gjykatësi në Nju-Jork. Ai pretendon pafajësi ndaj akuzave për shkelje të sanksioneve amerikane, konspiracion dhe pastrim parash. Sipas akuzës, ai ka punuar me oligarkun rus, Oleg Deripaska në vitin 2021, edhe pse ky i fundit ishte dënuar nga SHBA për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016.

Në Uashington, McGonigal akuzohet se ka fshehur lidhjet që kishte me një person i cili dekada më parë ka punuar për Shërbimin Informativ Shqiptar, si dhe marrjen e pagesave me vlerë 225 mijë dollarë. Sipas prokurorëve, McGonigal ishte i detyruar që të deklaronte udhëtimet jashtë vendit dhe kontaktet me shtetas të huaj duke qenë se ishte punonjës i FBI-së, diçka që ai nuk e ka bërë.

Të hënën, Gjykata e Nju-Jorkut pranoi që McGonigal të lihej i lirë me kusht, pasi dy persona paguan garancinë prej 500 mijë dollarësh për të. Emrat e tyre nuk janë bërë publik.

McGonigal është i detyruar tani që të deklarojë çdo udhëtim jashtë shtetit të Nju-Jorkut, përveç atyre që do të bëjë drejt gjykatës në Uashington. Avokati i McGonigal, Seth DuCharme, i tha gjykatës se puna e tij përfshin udhëtime ndërkombëtare dhe se mund të kërkojë modifikime të kushteve të garancisë në një moment të dytë.

Prokurorët akuzojnë se gjatë udhëtimeve të McGonigal në Shqipëri, Austri dhe Gjermani, ai nuk ka deklaruar në formularët që i dorëzohen autoriteteve qeveritare se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, një politikan nga Kosova dhe persona të tjerë.

Në një takim, prokurorët akuzojnë se McGonigal i ka thënë kryeministrit shqiptar që “të bëjë kujdes në dhënien e licencave për nxjerrjen e naftës në Shqipëri për kompani guaskë për ato ruse”. Ish-zyrtari i shërbimeve shqiptare që i ka dhënë 225 mijë dollarët kishte interesa financiarë në vendimin e qeverisë rreth këtyre kontratave. Një prej pagesave që McGonigal ka marrë, 80 mijë dollarë, është bërë me para në dorë teksa ai qëndronte në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju-Jork.

Sipas padisë, parë nga CNN, nën drejtimin e McGonigal, FBI nisi hetime për lobimet e huaja të qytetarëve amerikanë, bazuar në informacionet që kishte marrë nga ish-punonjësi i shërbimit shqiptar.