Pavarësisht ndalimit të vendosur ndaj Rusisë për të transportuar naftën e saj në Perëndim përmes detit, Kremlini ka gjetur një alternativë për tregtimin e naftës së papërpunuar me dy partnerët e saj kryesorë, Kinën dhe Indinë. Këtë e ka bërë në portat e Spanjës, madje ka intensifikuar operacionet e saj.

Ujërat territoriale që janë përballë qytetit autonom të Ceutës, shërbejnë si një vakuum ligjor për të kryer operacionin e njohur si STS, përmes të cilit Rusia transferon naftë në Pekin dhe në Nju Delhi vetëm 20 kilometra nga bregdeti spanjoll. Nga Kremlini pretendojnë arsye logjistike dhe ekonomike për të kryer këtë lloj operacioni, duke garantuar kështu eksportin e naftës bruto.

Siç raporton “EFE” dhe “Antena 3”, Ministria e Transporteve siguroi se Rusia nuk shkel rregulloren e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian, pavarësisht se i kryen këto veprime pranë ujërave të saj territoriale. Nga ana tjetër, anijet nuk mbajnë flamurin rus, por atë të vendeve si Panamaja dhe Qiproja.

Me fjalë të tjera, Spanja nuk mund të ndalojë transferimin e naftës së papërpunuar nga “flota fantazmë” ruse.

Në lidhje me operacionet në fjalë, anijet nisen nga portet e Primorsk (Kaliningrad) dhe Ust-Luga (Oblasti i Leningradit) të ngarkuara me naftë ruse në afërsi të Ceutës. Atje, në det të hapur, ngarkesat transferohen në anije të mëdha që mund të ruajnë deri në dy milionë fuçi dhe nisen për në Azi.