Ka përfunduar arratia e 40 vjeçarit Dan Hutra i cili gjatë ditës së mërkurë vrau 3 gra në zonën e Paskuqanit dhe Kamzës.

Dan Hutra vrau me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafkun 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses) si dhe plagosi ish-bashkëjetuesen Elena Hysa, 35 vjeçe dhe nënën e saj Kujtime Hysa, 60 vjeçe.

Gjithashtu ai dyshohet se vrau dhe 31-vjeçaren Etleva Kurti në oborrin e banesës së saj në rrugën “Besëlidhja” në Kamzë.

Autori i këtyre krimeve të rënda u largua me një makinë tip Benz dhe u arrestua më pas në zonën e Kombinatit. Në momentin e arrestimit atij iu gjet dhe arma e krimit kallashnikov.

Për arrestimin e autorit reagoi edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. “Përgëzime Policisë së Shtetit për arrestimin e një krimineli të regjur, që sot mori jetë të pafajshme në Kamëz. Një ngjarje e rëndë, që mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg nga sistemi i drejtësisë në të shkuarën për skedën e tij kriminale. Edhe njëherë, Policia e Shtetit dëshmoi profesionalizëm dhe bëri detyrën duke çuar prapa hekurave autorin, që nuk duhet më kurrsesi t’i shpëtojë ndëshkimit më të ashpër të drejtësisë. Ngushëllime familjeve të viktimave”.