“Vendet perëndimore të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta çojnë njerëzimin buzë një Armagedoni bërthamor”.

Ky ishte kërcënimi më i fundit i ambasadorit rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, pas deklaratave nga zyrtarë të lartë amerikanë, sipas të cilëve dërgimi i municioneve me uranium të varfëruar në Ukrainë nuk përbën rrezik, pasi ato janë përdorur prej vitesh në shumë konflikte të tjera.

“Me këtë reagim të papërgjegjshëm, autoritetet amerikane kanë arritur në nivelin më të ulët”, shtoi ambasadori rus.

Ndërkohë që në anën e frontit të luftës, presidenti Zelensky deklaroi se ushtria ukrainase ka zmbrapsur dhjetëra sulme në orët e fundit dhe do ta vazhdojë këtë gjë deri në fund.

“Do t’i përgjigjemi pushtuesit për çdo sulm në qytetet tona. Sulmet e sotme ruse në Zaporizhzhia, Kiev do të kenë një reagim, ushtarak, politik apo ligjor. Rusia do ta humbë këtë luftë. Është shumë e dukshme që shteti terrorist nuk mund të ndalet nga asgjë tjetër përveçse fitores sonë”, shkruan Zelensky në rrjetet sociale.