Forca e Posaçme Operacionale dhe disa grupe të FNSH-së kanë zhvilluar një operacion në Vlorë për kapjen e shtetasve me rekorde të theksuara penale.

Policia bën të ditur se gjatë kontrolleve në disa banesa ka sekuestruar një sasi prej 39 mijë eurosh, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe një pistoletë. Ndërkojë, janë shpallur në kërkim dy persona.

“Forca e Posaçme Operacionale dhe disa grupe të FNSh-së, kontrolle në ambiente të ndryshme, të dyshuara të përdorura nga pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale.

Sekuestrohen në banesën e pjesëtarit të një grupi kriminal, 39000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e grupit kriminal, si dhe një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.

Shpallet në kërkim pronari i banesës, pjesëtar i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e krimeve të rënda kundër personit.

Strukurat hetimore dhe ato operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me disa grupe të FNSh-së, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit për të mbajtur në kontroll situatën kriminale, për të goditur rastet e mbajtjes së armëve të zjarrit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve me rekorde penale në kuadër të grupeve kriminale, kanë kryer kontrolle të befasishme në disa ambiente (kryesisht banesa) që dyshohet se përdoren nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në banesën e pjesëtarit të një grupi kriminal me veprimtari në fushën e krimeve të rënda kundër personit, në lagjen “Pavarësia”, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe shumën 39 000 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e këtij grupi kriminal. Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim shtetasi R. Sh., 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi”, njofton policia.