Katër persona, mes tyre tre mësues, kanë humbur jetën pas një aksidenti fatal rrugor në një autostradë në Kozan, ku makina me të cilën ata po udhëtonin u godit nga disa gurë të mëdhenj që nisën të binin nga mali për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Dilek Altıparmak dhe tre kolegët e saj po ktheheshin në shtëpitë e tyre pas pune në shkollën fillore “Himmetli”. Nga ky aksident humbën jetën shoferi i automjetit Dilek Altıparmak,  Pinar Kiliç (29 vjeç), Ümmühan Dilbilir (39 vjeç) dhe Rahime Topak (37 vjeç).

Fillimisht pas goditjes nga gurët që binin pa pushim nga mali, makina dhe njerëzit brenda kanë marrë disa dëmtime të lehta, aq sa mësuesja e ndjerë kishte pasur kohë të telefononte të motrën, duke i thënë që kishte frikë.

Por, fatkeqësisht një gur i madh i ra përsipër automjetit të viktimave duke i shtypur brenda të gjithë, e duke i marrë jetën në vend. E motra e Dilek tha se trupi i saj ishte copëtuar dhe ndarë në dysh. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për aksidentin fatkeq, që u mori jetën katër të pafajshmëve.