Tre persona janë arrestuar, pasi kanosën administratorin e një kompanie private në Cërrik, që të tërhiqej nga procedura e konkurrimit për tenderin që kishte fituar kjo kompani në bashkinë e Tiranës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u ndaluan shtetasit: Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, Shaqir Alcani, 62 vjeç, si dhe u shpall në kërkim 38-vjeçari, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas Policisë administratori me iniciale E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.

Pas një hetimi njëmujor, strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tenderi”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.