Inxhinierët rusë mendohet se kanë sabotuar avionët MiG 29 që Sllovakia u ka caktuar Forcave të Armatosura të Ukrainës. Kështu deklaroi ministri sllovak i Mbrojtjes, Jaroslav Nad, pasi verifikoi se avionët luftarakë nuk ishin në gjendje për t’u përdorur nga ukrainasit.

“Defektet e avionëve shfaqen vetëm në ato pjesë ku rusët kishin akses”, siguroi ai. Një deklaratë që është bërë një javë pasi qeveria e kryesuar nga Eduard Heger miratoi dërgimin e këtyre avionëve në mënyrë që Ukraina të vazhdojë luftën kundër trupave ruse.

Sllovakia dërgoi në Ukrainë Mikoyan MiG-29, një model luftarak sovjetik i krijuar në 1977 dhe që hyri në shërbim me Forcën Ajrore Sovjetike në 1983. Bratisllava dërgoi 13 njësi të këtyre avionëve.

Për sa i përket karakteristikave të tyre, këto luftarakë kanë një gjatësi prej 17,32 metrash dhe një hapje krahësh 11,36 metra. Me peshë 18 tonë, avioni ka dy motorë që e çojnë atë deri në 2600 km/h dhe arrijnë një lartësi maksimale prej 18 000 metrash.

Në fakt, nuk është hera e parë që Sllovakia i ofron ndihmë ushtarake Ukrainës që nga fillimi i pushtimit. Vitin e kaluar, ata njoftuan dërgesën e një sistemi raketash kundërajrore me rreze të gjatë veprimi, të tipit S-300 dhe të prodhimit rus. Një armë e prodhimit sovjetik që përveç Sllovakisë, nga të gjitha vendet që përbëjnë NATO-n, e kanë vetëm Bullgaria dhe Greqia. Versioni i tij i parë u prodhua në vitin 1978, me Bashkimin Sovjetik tashmë të zhdukur.